Hene, 18 Dhjetor 2017 14:15
Vlerëso këtë artikull
(0 votes)

Çfarë është?




Reforma në drejtësi është një ndër proceset më të rëndësishëm që ka kaluar vendi ynë.
Në themelin e kësaj reforme është shprehur qartazi mospërputhja e pritshmërive të qytetarëve nga ajo se çfarë duhet të ofrojë drejtësia shqiptare dhe asaj çka në fakt ata kanë marrë prej saj.

Perceptimi i publikut, por edhe raportet ndërkombëtare të monitorimit të këtij sektori kyç kanë treguar rënien e vazhdueshme të besimit në organet e drejtësisë nga shoqëria shqiptare.
Pavarësisht se korrupsioni spikat, si një ndër arsyet kryesore për këtë mosbesim, faktorë të tjerë si mungesa e integritetit, profesionalizmit, përgjegjshmërisë dhe efiçiencës kanë luajtur gjithashtu një rol kryesor në rënien e besueshmërisë së funksionit të dhënies së drejtësisë në vend.

Për këto arsye, duke marrë parasysh se që nga themelimi i këtij rendi juridik, nuk është ndërmarrë asnjë analizë e qenësishme e pushtetit gjyqësor, në kushtet e një kulture të brishtë demokratike dhe një vendi me një të kaluar totalitare, për të mposhtur mbetjet e sistemit të vjetër dhe për të garantuar një themel të fortë për një sistem drejtësie që do t’i qëndrojë kohërave dhe influencave politike, reforma në drejtësi gjendet në fazën më domethënëse të saj, zbatimit në praktikë dhe prodhimit të efekteve të para të saj.