KLGJ është organi kryesor i qeverisjes së gjyqësorit. Detyrat (kompetencat) e KLGJ përfshijnë:
1. Bën plane strategjike për zhvillimin e gjyqësorit dhe monitoron ecurinë e zbatimit të tyre;
2. Raporton çdo vit para Kuvendit dhe publikut mbi gjendjen e sistemit gjyqësor;
3. Miraton standartet e etikës gjyqësore dhe mbikqyr respektimin e tyre nga ana e gjyqtarëve;
4. Përcakton numrin e përgjithshëm të gjyqtarëve dhe numrin e gjyqtarëve për çdo gjykatë;
5. Përcakton, në bashkëpunim me Ministrin e Drejtësisë, kompetencën territoriale të gjykatave (territorin mbi të cilin shtrihet kompetenca e një gjykate të caktuar);
6. Emëron (dhe cakton në pozicione konkrete) gjyqtarët e shkallës së parë dhe të dytë;
7. I propozon Presidentit të Republikës kandidatët për gjyqtarë të Gjykatës së Lartë;
8. Transferon dhe ngre në detyrë gjyqtarët;
9. Vlerëson veprimtarinë etike dhe profesionale të gjyqtarëve;
10. Vendos masa disiplinore mbi gjyqtarët që kryejnë shkelje disiplinore;
11. Bën deklarata publike në mbrojtje të gjyqtarëve të veçantë kur e gjykon të nevojshme.
12. Bashkëpunon me Shkollën e Magjistraturës në lidhje me trajnimin vazhdues të gjyqtarëve;
13. Administron burimet njerëzore në gjykata;
14. Mban marrëdhëniet e gjyqësorit me publikun dhe garanton aksesin e qytetarëve në shërbimet e gjykatave;
15. Zhvillon dhe administron sistemin e teknologjisë së informacionit që përdoret nga gjykata për regjistrimin dhe trajtimin e çështjeve gjyqësore (përfshi edhe krijimin e statistikave për veprimtarinë e gjyqësorit);
16. Vendos strukturën dhe organikën e gjykatave (përfshi edhe përshkrimin e detyrave për çdo nëpunës civil gjyqësor);
17. Vendos afate standarte për gjykimin e çështjeve gjyqësore dhe mbikqyr zbatimin e tyre;
18. Vendos rregulla për matjen e cilësisë së shërbimit gjyqësor dhe mbikqyr zbatimin e tyre;
19. Jep opinione ose bën propozime lidhur me ndryshimet në legjislacionin që mund të ndikojë në punën e gjyqësorit;
20. Harton dhe zbaton buxhetin e gjyqësorit.